Shfaqja "Pyllishte"
Pyll a zallishte? Tre kandidatët për Kryetar Bashkie e kanë përgjigjen dhe janë të vetëdijshëm për gjithë betejën që është zhvilluar për të. Të mallëngjyer, krenarë, shpresëplotë dhe të bindur për fitoren premtojnë një të ardhme të gjelbër për qytetin tonë.
Mes këtyre kohëve, gjenden një palë zgjedhje që janë jetike për fatin e pyllit.
–
Të frymëzuar nga rezistenca e komunitetit dhe me kërkesën për ta njohur si pyll edhe institucionet tona, në pyllin “Plepat e Brukës” ne si aktivistë të qytetit përpiqemi të ngremë zë edhe nëpërmjet teatrit. Si një nga tentativat e para për të realizuar teatër mjedisor në vend, në fillim e kemi gjetur veten në një lumë pa rrjedhë derisa kuptuam që teksti ishim ne, përfytyrimet tona për mjedisin, gjendjen e tij, betejat në mbrojtje të tij dhe politikat e mbrapshta aspak mjedisore me të cilat komunitetet janë përballur. Aktorët dhe regjisorja u orvatën të personifikojnë secilën nga ato në disa personazhe që luhen nga tre aktorë.
Me kënaqësi ju ftojmë të premten dhe të shtunën, në orën 14:00, në pyllin “Plepat e Brukës” në Laknas.
