Publikime
Ferri - Dante Aligheri
Lasciate ogne speranza, voi ch’intrate – Lini çdo shpresë ju që hyni brenda… përveç shpresës për të gjetur libra të mirë te biblioteka jonë
Në bibliotekën e grupit tonë do të gjeni Ferrin e Dantes, i përkthyer nga Hektor Shënepremte dhe publikuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Agron Tufa në parathënien e këtij libri na tregon sesi Hektor Shënepremte (pas Cezar Kurtit) është përkthyesi i dytë i Ferrit në shqipen standarde, por unik në llojin e tij sepse e sjell atë me tercina të parimuara. Leximi i këtij libri ka vlerë të trefishtë: njohja me përkthimin e Hektor Shënepremtes në kushte të jashtëzakonshme diktatoriale, njohja e përpjekjes së autorëve dhe studiuesve tanë dikur pjesë e ISKK-së (Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku) për të sjellë në vëmendje publike ato që Tufa i quan akte a gjeste të rezistencës kulturore në mungesë totale lirie, dhe patjetër për ta njohur Danten (edhe) nëpërmjet krijimtarisë së Hektorit.
Supa Miso - Murakami
Sugjerimi jonë i radhës për lexim dhe huazim libri nga biblioteka e grupit është romani me titull “Supa Miso”, me autor Ryu Murakami, përkthyer nga Alen Bejko dhe botuar nga shtëpia botuese Berk. Me ngjarje të vendosura në Japoninë bashkëkohore, ky libër trajton temat e marrëdhënieve dhe ndjesive njerëzore. Me stil krejt origjinal në narrativën që krijon, Ryu Murakami na njeh me një botë ku personazhet janë të lidhura jo vetëm nga rastësitë, por edhe nga domosdoshmëria për tjetrin, për t’u relacionuar me të, për njohjen e vetvetes. Murakami gjithashtu hedh dritë mbi mënyrën se si kultura dhe traditat japoneze ndikojnë në formimin e identitetit të personazheve. Përmes kësaj vëzhgimi, ai na fton të reflektojmë mbi gjendjen njerëzore dhe sfidat që ajo sjell, duke na lënë të mendojmë për pyetjet e mëdha të ekzistencës dhe të kuptimit të jetës.
Hamlet - Shekspir
Libri i Javës – Hamleti nga Shekspir
39 drama, 154 sonete, 3 poema të gjata narrative dhe disa vargje të tjera janë veprat ekzistuese të një figure vërtet misterioze, magjepsëse dhe një jete të mbushur me spekulime të autorit Shekspir. Prej këtyre, vepra e Hamletit, me të vërtetë, qëndron si një nga tragjeditë më ikonike dhe më me ndikim të Shekspirit. Eksplorimi i tij i thellë i natyrës njerëzore, çështjeve ekzistenciale dhe zhvillimit të ndërlikuar të karakterit ka shënjuar historinë e letërsisë botërore. Këto dhe vepra të tjera klasike, ju ftojmë t’i konsultoni te biblioteka jonë çdo ditë. Për tituj të tjerë dhe takime paraprake na shkruani në faqen tonë.
Vdekja aksidentale e një anarkisti
Libri i Javës – Vdekja aksidentale e një anarkisti nga Dario Fo
Siç thoshte Bertolt Brecht: “Në kohë të errëta, u këndojmë kohëve të errëta. Mandej do të zbardhë edhe për ne koha e trëndafilave” . Kështu nis Vdekja aksidentale e një anarkisti nga dramaturgu nobelist Dario Fo, një nga veprat më të famshme të tij, vënë në skenë mbi 200 herë me kapacitet të plotë. Ky libër është shqipëruar nga Krymi dhe përgatitur për shtyp nga Anna Shkreli, pjesë e publikimeve të shtëpisë botuese “Berk”. Kjo vepër sugjerohet shumë edhe nga ne, për shkak të lidhjes së veçantë që kemi me këtë autor dhe me këtë vepër në veçanti. Në vitin 2018 si pjesë e praktikave tona teatrale, e vendosim si shfaqje në oborrin e Teatrit Kombëtar në shenjë solidarizimi dhe bashkimi në protestat për teatrin. Pas premierës në Tiranë, kjo shfaqje vihet në Kamëz në një godinë e lënë përgjysëm, ndërtuar nga dy emigrantë të cilët ende sot e kësaj dite nuk janë kthyer në Shqipëri për ta përfunduar karabinanë e tyre. Vepra e Fo-së merr shkas nga një ngjarje e vërtetë e vitit 1972 në Itali. Historia e “vdekjes aksidentale” të anarkistit italian Giusseppe Pinnelli, i cili dhunohet nga policët e një komisariati të Milanos dhe që vdes pas dy ditësh në qeli, ritregohet me ironi nga Fo i cili na e sugjeron me mjeshtëri një të vërtetë tjetër mbi këtë histori. Dialogjet janë ndërtuar mbi dokumente origjinale të lidhura me çështjen në fjalë, pasi për Fo-në ky rast nuk ka pasë aspak nevojë të shpikeshin apo imagjinoheshin situata. Për Dario Fo, për teatrin dhe për të gjitha vdekjet, dhunimet, apo represionet aksidentale shtetërore: hajdeni dhe merreni këtë libër.
Letërkëmbimi Camaj-Pipa
Letërkëmbimi Camaj-Pipa: 1959-1992
Në librin “Letërkëmbimi Camaj-Pipa: 1959-1992” përgatitur nga botuesja Irena Buzi e me parathënie të Dhurata Shehrit, gjejmë të ndërthurur një shumësi realitetesh domethënëse për kulturën dhe historinë shqiptare. Kjo dëshmi ndryshe e shqiptarëve në ekzil, ka në fokus fatin e diasporës dhe atyre intelektualëve që braktisën Shqipërinë për të mos iu nënshtruar censurës dhe terrorit komunist. Pipa dhe Camaj, të dy shkrimtarë, gjuhëtarë, kritikë dhe studiues, në harkun kohor të 33 viteve, ruajnë korrespondencë të rregullt me shkëputje të pjesshme. Këto shkëputje lidhen me qëndrime politike e hatërmbetje të ndryshme; mungesa e kohës, etj. Megjithatë, duke pasë interesa të përbashkëta për kulturën shqiptare, të dy tregojnë vetëdije mbi rolin që luajnë në këtë aspekt, duke theksuar rëndësinë e punës për gjuhësinë dhe letërsinë shqipe. Dallojmë këtu botimin e veprës “Dranja” që Pipa e cilëson si madrigalin e parë shqiptar si dhe, veprën “Rusha” të Pipës, i cili kishte si qëllim të lëvronte në letërsinë shqipe forma të palëvruara më parë. Por edhe në gjuhësi, të dy tregojnë kundërshtitë e tyre, sidomos mbi procesin e standardizimit të shqipes, që nuk është bërë mbi premisa shkencore por politike. Këtë letërkëmbim, të cilin ua sugjerojmë shumë për ta lexuar, mund ta huazoni nga biblioteka jonë duke na shkruar paraprakisht.
Odiseja - Homeri
Libri i javës – Odiseja nga Homeri
Për maturantët që po u afrohen provimet e për nxënësit e tjerë që duan të lexojnë pa paguar; për të rinj e të reja që duan te jenë të rrethuar nga një bibliotekë e pasur me tituj; për të rriturit që duan të hyjnë në një hapësirë ku libri as shitet dhe as blihet, por huazohet përkundrejt besimit të rikthimit; për ata që duan një hapësirë për veten, për lexim e vetmi, por edhe po aq të sigurtë, ftuese dhe shumë miqësore hajdeni te biblioteka e grupit. Kësaj radhe sjellim si sugjerim për huazim librin Odiseja e Homerit, përkthyer nga Pashko Gjeçi dhe publikuar nga shtëpia botuese Onufri.
Ajo çka i bënte bashkë poliset greke ishin poetët, Homeri dhe Hesiodi kryesorët dhe ku këngët e narrativat e të cilëve ishin të njohura në të gjitha poliset. Për grekët antikë, Homeri jepte një panoramë të plotë të botës, të cilën e kishte të menduar në tërësinë e saj me të gjitha telashet, forcat dhe kuptimet e mundshme e të nevojshme. Poemat e tij ishin pikë reference për zgjidhjen e mëdyshjeve e përplasjeve të tyre. Sipas filozofit Hubert Dreyfus veprat e mëdha të artit si poemat e Homerit as nuk e krijojnë dhe as nuk e kopjojnë botën, por e fokusojnë dhe hedhin dritë mbi kuptimet e asaj bote. Grekërit ishin të vetëdijshëm për këtë aspekt dhe jo më kot figura e Homerit nderohej si idhull dhe fjala e tij kishte vërtetësi absolute. Ndërsa sipas kritikut letrar Erich Auerbach Homeri na prezanton me një botë e cila është e gjitha e ndriçuar, pa dritë-hije, ku gjithçka shihet e pasqyrohet, ku asgjë nuk mbahet e fshehtë e lexuesi nuk është peng i suspancave, ku gjërat shfaqen sipas natyrës së tyre menjëherë e pahezitim.
Odisea na flet për virtytet e zgjuarsisë, besnikërisë dhe kujtesës në aventurën për t’u kthyer aty nga ka nisur, por të gjitha këto të shoqëruara nga një fuqi e pamatë e heroit për t’i bërë ballë të gjitha sfidave. Odisesë i duhet të prekë fundin e përvojës njerëzore, të refuzojë pavdekësinë, të stërmundohet e reduktohet deri në pikën e fundit nga lojrat e fatit e të zotave e t’ia dalë nga fuqia e vetvetes të kthehet në Itakë për ta rifituar atë, për t’i rikthyer lavdinë në mesin e paqartësisë që e ka kapluar për shkak të paqartësisë që ka krijuar mungesa e tij.
