Gazetaria është një praktikë e cila i shkon përshtat aktivizmit. Kamzës i mungon një gazetë lokale dhe gazetën Nyje.al e kemi krijuar si gazetën lokale të pavarur në qytet. Gazetaria na ka mësuar sesi ndiqet një ngjarje me rigorozitet, se çfarë duhet ndarë publikisht si e rëndësishme me qytetarët, dhe se çfarë lloj gazetarie duhet në një qytet pa praktikë gazetarie. Në mungesë të raportimeve mediatike lokale nga Kamza, nyje.al synon jo vetëm raportimin e ngjarjeve nga qyteti, por edhe ofrimin e një tabloje më të pasur të asaj që ne kemi konsideruar të rëndësishme për të ndjekur banorët e saj.

Gazeta mund të shërbejë si një galeri e gjerë dhe e imët e qytetit me shumë profile qytetarësh, përshkrime lagjesh, përpilime historish lokale, fotografi, video e raportime që nxjerrin në dritë cepa të lënë në errësirë nga mungesa e mediave lokale dhe atyre kombëtare që raportojnë kryesisht nga Tirana. Ky proces gazetaresk shërben edhe si një platformë për të stërvitur vetveten në përdorimin e gjuhës, shkrimin e saj, hartimin e reflektimeve dhe analizave në lidhje me qytetin. Për të gjithë aktivistët e grupit, gazeta ka qenë një platformë e cila ka thirrur për të sprovuar adresimin publik të zërit dhe shqetësimeve tona dhe për të krijuar një gjuhë komunikimi të përbashkët me banorët.

Për të lexuar çfarë shkruajmë, na ndiqni në këtë adresë:

Scroll to Top