Shfaqja "Propozimi"
Aktivistët e grupit Ata janë të detyruar të sorollaten nga administrata e bashkisë Kamëz për katër muaj që t’u lëshohet një leje për të dhënë shfaqjen “Propozimi” e Anton Cehovit. Farsës nuk i jepet leje për t’u dhënë në Pallatin e Kulturës, pasi në atë kohë do të zhvillohej aktiviteti i Miss Globe. Farsat e administratës së Bashkisë Kamëz të atyre viteve, shkruheshin më me stil sesa Cehovi vetë. Pallati i Kulturës me tre kate, me salla konferencash, kinemaje, biblioteke e teatri nuk i bëri vend shfaqjes “Propozimi”. Ndaj, aktivistët e grupit Ata improvizuan një skenë teatri brenda hapësirës së qendrës së tyre komunitare, duke shënuar kështu për ta, momentin e parë të daljes jashtë skenës konvencionale në Kamëz. Kjo shfaqje që shëtit në tre objekte të ndryshëm, duke u kaluar nga hunda, por duke mos qenë në brendësi, Pallat Kulture- Shtëpi e braktisur- Teatër Kombëtar fsheh metaforën e pamundësisë për të bërë aktin më të thjeshtë në një shoqëri që pengon. Rrekemi të tregojmë në përmasa minimaliste atë çka po ndodh, por që e kemi të vështirë ta rrëfejmë ndryshe pa teatër.
Ngjashëm si Bekett-i, ai fillon të shkruajë shumë vonë. Në vitin 1948 shkruan veprën e tij të parë “Këngëtarja tullace” (La cantatrice chauve), e cila vjen si rrjedhojë e përpjekjeve (pothuaj të dështuara) për të mësuar gjuhën angleze. Fjalitë e zbrazëta, përsëritëse dhe bazike të tilla si “tavani është lart, dyshemeja është poshtë” të ushtrimeve të anglishtes, e shtyjnë të krijojë personazhet e anti-komedisë së tij të parë, e cila do të korrte sukses shumë vite më pas, duke u konsideruar si një ndër veprat themeluese të teatrit të absurdit.
Vdekja, humori i zi, ëndrra dhe kotësia e jetës njerëzore janë trajtesat kryesore në veprat e tij. Jonesco pohon se dadaizmi, surealizmi dhe krijimet folklorike rumune kanë ndikuar në krijimtarinë e tij. E mohon fort etiketimin si “ekzistencialist” dhe është kritik i Sartrit. Për të vdekja është telashi më i madh i njeriut- “ajo është muri dhe limit ynë” – shprehet në një intervistë për Paris Review. Pavarësisht kësaj, në veprat e tij ka gjithmonë një fije shprese dhe apelim ndaj tjetrit.
Nëse Beckett-i e sendërton dialogun nëpërmjet heshtjes, Jonesco i zhbën marrëdhëniet njerëzore nëpërmjet inflacionit të fjalëve. Gjuha e personazheve në veprën “Këngëtarja tullace” rrjedh në kotësi. Personazhet e tij llomotisin, në bosh, në absurd. Bisedat mes çifteve borgjeze londineze të viteve ’50, rehatojnë kollaj sot mungesën e komunikimit mes njëri-tjetrit në Shqipëri.
“Këngëtarja tullace” do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar me datë 28 dhjetor, në orën 19.00.
Nata e saj e dytë do të jetë në skenën e Teatrit të Kamzës, me datë 29 dhjetor, në orën 17.00.
Përsëritja e të njëjtës shfaqje në këto dy skena është e qëllimtë. Të dyja kanë histori të ndryshme, por na apelojnë njësoj. Kjo shfaqje teatrale e shtrirë në dy vende, në qendër dhe periferi përpiqet me nyjetue gjendjen e skenës së teatrit kombëtar dhe atij lokal, të dyja të kërcënuara nga pushteti, nga keqpërdorimi, nga zhbërja. Shkatërrimi fizik i njërës dhe përmbajtësor i tjetrës, ngjajnë me materialin fillestar për absurdin e veprave të Jonesco-s: veç na shtyjnë të rezistojmë duke krijuar mbi humbjen dhe vdekjen, me një fije guxim, por të pashpresë.
