Shfaqja "Këngëtarja tullace"
Eugene Ionesco (26 nëntor 1909 – 28 mars 1994), dramaturg me origjinë nga Rumania, por që veprat e tij janë shkruar kryesisht në gjuhën franceze, konsiderohet sot si një nga figurat më të rëndësishme të teatrit avangard francez. Në vitin 1925, largohet nga Franca dhe kthehet në vendlindje së bashku me nënën e tij. Aty zhvilloi studimet për letërsi franceze në Universitetin e Bukureshtit (1928-1933). Përgjatë viteve studentore u takua me shkrimtarët Emil Cioran dhe Mircea Eliade, me të cilët do të lidhte miqësi të gjatë.
Ngjashëm si Bekett-i, ai fillon të shkruajë shumë vonë. Në vitin 1948 shkruan veprën e tij të parë “Këngëtarja tullace” (La cantatrice chauve), e cila vjen si rrjedhojë e përpjekjeve (pothuaj të dështuara) për të mësuar gjuhën angleze. Fjalitë e zbrazëta, përsëritëse dhe bazike të tilla si “tavani është lart, dyshemeja është poshtë” të ushtrimeve të anglishtes, e shtyjnë të krijojë personazhet e anti-komedisë së tij të parë, e cila do të korrte sukses shumë vite më pas, duke u konsideruar si një ndër veprat themeluese të teatrit të absurdit.
Vdekja, humori i zi, ëndrra dhe kotësia e jetës njerëzore janë trajtesat kryesore në veprat e tij. Jonesco pohon se dadaizmi, surealizmi dhe krijimet folklorike rumune kanë ndikuar në krijimtarinë e tij. E mohon fort etiketimin si “ekzistencialist” dhe është kritik i Sartrit. Për të vdekja është telashi më i madh i njeriut- “ajo është muri dhe limit ynë” – shprehet në një intervistë për Paris Review. Pavarësisht kësaj, në veprat e tij ka gjithmonë një fije shprese dhe apelim ndaj tjetrit.
Nëse Beckett-i e sendërton dialogun nëpërmjet heshtjes, Jonesco i zhbën marrëdhëniet njerëzore nëpërmjet inflacionit të fjalëve. Gjuha e personazheve në veprën “Këngëtarja tullace” rrjedh në kotësi. Personazhet e tij llomotisin, në bosh, në absurd. Bisedat mes çifteve borgjeze londineze të viteve ’50, rehatojnë kollaj sot mungesën e komunikimit mes njëri-tjetrit në Shqipëri.
“Këngëtarja tullace” do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar me datë 28 dhjetor, në orën 19.00.
Nata e saj e dytë do të jetë në skenën e Teatrit të Kamzës, me datë 29 dhjetor, në orën 17.00.
Përsëritja e të njëjtës shfaqje në këto dy skena është e qëllimtë. Të dyja kanë histori të ndryshme, por na apelojnë njësoj. Kjo shfaqje teatrale e shtrirë në dy vende, në qendër dhe periferi përpiqet me nyjetue gjendjen e skenës së teatrit kombëtar dhe atij lokal, të dyja të kërcënuara nga pushteti, nga keqpërdorimi, nga zhbërja. Shkatërrimi fizik i njërës dhe përmbajtësor i tjetrës, ngjajnë me materialin fillestar për absurdin e veprave të Jonesco-s: veç na shtyjnë të rezistojmë duke krijuar mbi humbjen dhe vdekjen, me një fije guxim, por të pashpresë.
