Shfaqja "Vidh një çikë më pak"
Një aktor italian në një shfaqje televizive risjell të perifrazuar mendimin e anarkistit të famshëm rus Peter Kropotkin duke thënë se nëse ia dalim ta vëmë veten në vendin e tjetrit, me qëllim që të dëgjojmë të tjerët sikur të ishim duke folur vetë, nuk do të kishim më nevojë për rregulla, për ligje. Në mungesë të tyre, ne do të reagonim nisur nga ndjeshmëria jonë e përbashkët dhe nuk do të bënim kurrë diçka kundër Tjetrit, të cilin do e ndjenim dhe kuptonim sikur Tjetri të ishte Vetja jonë. Ndaj është e domosdoshme të bëhet teatër nëpër shkolla, sepse ushtrimi i vendosjes së vetes në vend të tjetrit, është një ushtrim që mund ta përmirësojë vërtet shoqërinë tonë.”
Grupi Ata që prej themelimit e deri më sot vazhdon të bëjë teatër nëpër shkolla, me aktivistë, në institucione kulturore dhe shumë më shpesh jashtë tyre, në rrugë, herë të dëbuar e herë me dëshirë, si një ushtrim i mirë për njohjen e Tjetrit nëpërmjet vetes. Teatri ia ka dalë të krijojë kolektivitet dhe na ka pajisur me gjuhën, mendimin dhe guximin për të shprehur kritikat dhe kërkesat ndaj pushtetit. Na e ka mundësuar jetën tonë në qytet dhe përpjekjen për të krijuar dhe mbrojtur publiken.
“Vdekja aksidentale e një anarkisti”, me autor Dario Fo-në ishte akti ynë për Teatrin Kombëtar (2018) kundër atyre që na e shembën më pas. Ishte akti ynë kundër pushtetit lokal që na i rrënon sa vjen e më shumë hapësirat kulturore, duke e thelluar edhe më shumë pabarazinë kulturore për qytetarët e Kamzës. Si atëherë edhe sot jemi të vetëdijshëm që ideja e teatrit mund të mbahet gjallë edhe mbi rrënoja.
Nevoja për një tekst të fortë satirik politik, universaliteti i të cilit mund të gjejë vend edhe në Valias, na çoi sërish te narrativa e jashtëzakonshme dramaturgjike e nobelistit Dario Fo. “Vidh një çikë më pak” shkruar nga Dario Fo dhe sjellë në shqip nga Adrian Beshaj, është shfaqja jonë e radhës.
Me regji të Anila Ballës dhe në role të aktivistëve nga Kamza dhe Tirana, shfaqja kësaj radhe do të bëhet në Valias, Bathore, lagja nr. 1 e Kamzës, Frutikulturë, dhe jashtë Kamze, në Tiranë dhe Lezhë. “Vidh një çikë më pak” do të vihet në një skenë të improvizuar në mjedis të hapur, duke respektuar të gjitha masat e mbrojtjes kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.
