Zâdhania e jetëve të paregjistruara të Bathores
Në datat 29 tetor - 1 nëntor 2022 u zhvillua punishtja “Zâdhania e jetëve të paregjistruara të Bathores” si vazhdimësi e Laboratorit të Antropologjisë Urbane, një bashkëpunim mes Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit dhe grupit tonë. Kjo punishte synonte të përvijonte trajtimin e temave Shtëpia-Ardhja -Varri, por kësaj radhe në një zonë më të ngushtë etnografike: atë të Bathores, pranë ish-godinave blegtorale. Familjet mikpritëse, ndaj të cilave jemi përulësisht mirënjohës, na njohën me historinë e ardhjes, me praktikat e tyre të fqinjësisë dhe ndërveprimit njerëzor, me mënyrat ndërtuese, negocimit në hapësirën urbane, estetikën dhe përjetimet ndaj tjetrit si njeri dhe tjetrit si shtet. Punishtja i dha më shumë peshë kërkimit etnografik dhe praktikimit të qasjes direkte në intervista spontane dhe gjysëm të strukturuara me banorët e kësaj lagjeje. Qëllimi është që kjo punë e zhvilluar në dy vite në Kamëz, dhe punishtet e tjera që priten të zhvillohen çdo vit, të pasohen me krijimin e arkivit komunitar, si dëshmi e rezistencës dhe krijimtarisë njerëzore në zona të stigmatizuara kryesisht nga gjuha e dhunshme shtetërore.
Pavarësisht kohës së shkurtër për të ravijëzuar një ide a propozim, pjesëmarrësit prezantuan një punë solide dhe njëmend të bukur të zhvilluar në përfundim të saj. Hartëzim-njerëzim-kohëzim si një përpjekje për kartografinë njerëzore dhe ballafaqimi vizual të fotografive të aktivistit gjerman Wam Kat të Bathores në vitin 1999 dhe fotografive të zonës sot [Ronald Qema]; pluraliteti i ikjes dhe migrimit të çiftit nga Fushë Aliaj të Dibrës dhe e përkohëshmja si kohësi e pafundme [Çelik Rruplli]; parashtrime të gjetjeve kryesore në terren, ndër të tjera përkujdesja dhe e përbashkëta në kushtet e pamjaftueshmërisë individuale [Aurora Birbilaj]; dokumentim grafik dhe fotografik të funksionit parësor të stallave dhe transformimit të tyre në hapësira banimi përmes konceptit të ''përvetësimit të hapësirës" [Fatjon Kryeziu]; reflektim dhe kritikë mbi ndjesinë e përkatësisë dhe shtëpisë së gruas nëpërmjet pyetjes ‘ku me hedhë rrënjë’ [Dragana Kurti]; shpalosja e shënimeve mbi urbanen, shtëpinë dhe ardhjen nëpërmjet ditarit antropologjik [Era Frakulli]; vështrim dhe gjetje të kulturës materiale të ardhjes dhe ndryshimit të vendbanimit [Arnold Kapinova]; reflektim nëpërmjet fotografisë të përdorimit të hapësirave private dhe publike dhe propozime për ndërtimin e praktikave të përbashkëta kreative mes lagjeve si mënyra rijetësimi të hapësirave të papërdorura [Alketa Misja]; rrëfim në vetë të parë të historisë personale të ardhjes dhe qëndrimit përmes arkivit vizual [Antonela Pepkolaj]; përshkrim etnografik të historisë së ardhjes së banorëve në Bathore [Lush Ismailaj]; sinops i shkurtër i një filmimi që mbart metaforën e të qënurit bashkë, regjistruar gjatë kërkimit etnografik në terren [Nikolas Pipero].
I jemi falenderues gjithashtu Dorina Pllumbit, Ervin Kaçiut dhe Olsi Lelajt për kontributin e çmuar në këtë laborator. Po ashtu të gjithë aktivistëve dhe miqve tanë të pranishëm që bashkëndanë me ne kohë dhe përkujdesje.