Punishte e Teatrit të Forumit me Morten Traavik
Në datat 11 dhe 12 zhvilluam më tej praktikat tona të teatrit të forumit (Forum Theatre) në punishten e drejtuar nga artisti dhe regjisori norvegjez Morten Traavik. Në bashkëpunim me organizatën Traavik.info e në vazhdën e projektit “Besa” koordinuar nga artistja Donika Çina, ky grupim artistësh qëndroi për dy ditë me aktivistë, banorë të Kamzës, aktorë e joaktorë si dhe me studiues të kulturës. Takimi bashkoi dije e përvoja të ndryshme, interpretime, aftësi e zëra të cilat u ndërthurën teksa pjesëmarrësit bashkarisht po sprovonin potencialin e bashkëkrijimit e bashkëndërtimit në një disiplinë thuajse të papraktikuar më parë në të tillë formë e brenda disa kufizimesh specifike.
Morten Traavik prej disa vitesh është i interesuar për realitetin social, kulturor dhe politik të Shqipërisë. Disa nga punimet e tij i ka prezantuar në galeri, hapësira alternative, festivale filmi dhe auditorë të ndryshëm në Shqipëri dhe Kosovë. Veprat e tij në teatër dhe film luajnë brenda dhe përmes kufizimeve dhe ndërhyrjeve, gjithnjë me një teh provokues socio-politik. Disa prej nesh e kanë njohur fillimisht me filmin dokumentar “Dita e çlirimit” (Liberation Day) projektuar në Dokufest (2017), film që na rrëfen sesi vetë artisti ia del të realizojë koncertin e bandës muzikore sllovene Laibach në Korenë e Veriut, duke shënuar kështu koncertin e parë të rock-ut në atë vend. Në Kamëz, me grupin Ata dhe të gjithë pjesëmarrësit e punishtes, Traavik sprovoi mundësinë e rishikimit dhe rileximit të veprës së dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen nëpërmjet kanunit të Lekë Dukagjinit dhe morisë së interpretimeve të plurales ligjore e kanunore të shtresëzuar brenda nesh.
Punëtoria mblodhi aktorë e joaktorë me thirrje të veçantë e të sinqertë për teatrin. Një grup këshilluesish lokalë luajti rolin e rishikimit të veprës së Ibsenit nëpërmjet kanunit, shumësisë së përvojës kanunore krahinore, përthyerjes së saj në rrafsh imagjinar dhe me sfond letrar. Ndërhyrjet e ‘trupës’ këshilluese për të ndaluar në momente specifike leximin/interpretimin e tekstit dramatik, dhe për të ndërhyrë në inskenimin e tekstit të Ibsenit sipas përfytyrimit të tyre mbi kanunin, i dhanë punishtes dinamika të reja interpretimi dhe krijimi. Të pranishëm ishin edhe studiuesit Mikaela Minga dhe Nebi Bardhoshi, sugjerimet e kujdesshme të të cilëve na ndihmuan ta adresonim shqetësimin tonë për ta parë traditën si një mundësi reflektimi dhe krijimi, pa e riprodhuar atë si variant konservator dhe me lente ekzotike e romantike.
Traavik, teksa bashkërendonte një lexim të përbashkët të një pjese të veprës “Armiku i Popullit”, sugjeronte që pa ndryshuar tekstin e Ibsen (me përkthim të F.S. Noli), këshilli dhe aktorët të gjenin hapësira (të ngushta) inskenimi për idetë e tyre në elementë të tjerë dramatik duke pasur si bazë riinterpretimi pluralitetin ligjor të pjesëmarrësve të punishtes. Duke i mëshuar shumë faktit që artistit (por edhe aktivistit) i duhet të punojë në kushte kufizuese, mes limitesh dhe pamundësish, dhe brenda tyre të gjejë shtigje imagjinative për t’i tejkaluar, ftesa e Traavik ishte që të kuptonim marrëdhëniet njerëzore dhe mënyrat sesi teksa rregullohen dhe kufizohen, gjinden gjithmonë mundësi për t’i tejkaluar limitet nëpërmjet mendimit dhe krijimit kolektiv. Për pjesëmarrësit, gjuha, dialekti, interpretimi, pozicionimi i trupit, lëvizja dhe distanca skenike u gjendën si mjete të tjera dramatike që u bënin vend interpretimeve dhe rishikimit të veprës së Ibsenit. Sakaq, nga kjo përvojë Traavik tenton të kuptojë nëse mundet që të njëjtat limite të parashikuara në një prej varianteve të së drejtës zakonore shqiptare të mund t’i përdorë për të kodifikuar kodin e teatrit, me të cilin çdo vepër mund të inskenohet më tutje duke e pasur atë si manual.
I jemi mirënjohës Morten Traavik dhe bashkëpunëtoreve të tij për punën e zhvilluar me ne; të gjithë ata që u angazhuan në punishte; dhe për fotografitë falenderojmë Nadia Abazin.