← Kthehu te Punishte
Punishte / Zë / Radio

Punishte e Radios

0615–16–17 Prill 2022Kamëz & Kukës

Janë dy tinguj që mbajmë mend nga fëmijëria jonë: shiu mbi tenxhere e kova uji për të mbledhur rrebeshin që pikonte nëpër dhoma dhe zëri i mekur i një radioje që lajmëronte shpërthimin e depove në ‘97. Më tutje, e njëjta kuti radioje ka marrë udhë me fugona gjatë ardhjes në qytetin e Kamzës. Ajo është lëshuar nëpër oborre teksa është kthyer hekur për avlli dhe soleta. Teksa janë larë tapete dhe shtroje. Teksa janë fshirë rrugica e oborre. Teksa është bërë çilizëm. Ka pasë raste kur lëshonte secila shtëpi e lagjes radion e vet, kush e kush më lartë se tjetri, secili duke pretenduar të drejtën e vet për hapësirë zanore. Jo veç të drejta për tokë, po edhe për qiell. Nuk harrohet më pas periudha e dy orë drita - dy orë terr. Nëpër shtëpiat tona ishte kthyer në dy orë drita, dy orë radio. Radioja dhe qiriri liheshin bashkë, afër, gati. Si për televizorin, edhe për stacionimin e radios kishte luftë brezash. Përballjet fizike mes shumë fëmijësh mbi muzikën, a hip-hop a regatone, a muzikë të lehtë italiane, sheshoheshin prej shijeve folklorike të prindërve. Si ngushëllim na këndonin me zë koke ritmet e “Mamy Blue-s”, për pak sekonda, e më pas ia çonin zanin emisionit “përshëndetje nga gurra popullore”. Sot ato radio janë si sende të panevojshme në shtëpi, thuajse aksesorë, kush ka shpëtuar pa u hedhur. Plazmat e mëdha kanë zëvendësuar kutitë e vogla me antena nga Dajti. Qyteti ka likujduar hapësirat e përbashkëta kulturore, në zyra, pallate e lokale. Ky qytet, në 26 vite histori si i tillë, nuk ka pasë takat për të themeluar një radio të vetën lokale (ndër të tjera pafuqi).

Si domosdoshmëri për të krijuar hapësira të reja minore, të vogla, të cilat mund të na bëjnë më bashkë, secili (nëse do) në vetminë e vet, e forma të reja të manifestimit të urbanes dhe qytetit, të zërit dhe protestës zanore, kemi krijuar një vend të vogël zëri. E thërrasim “thuajse radio”, se për pak mund të ishte e tillë, por nuk është. I përngjason, por është në potencial. Atë e kemi ndërtuar në apartamentin e dhënë me qera nga një çift i ëmbël emigrantësh në Greqi, brenda hapësirës së Grupit Ata. Kjo hapësirë e kthyer në thuajse radio po pret që të eksperimentohen procese krijimtarie mbi punën me zërin si material i parë me potencial politik dhe kulturor. Tundohemi të imagjinojmë radiot e lira në Europë të viteve ‘70, tek ajo hapësirë e izoluar akustikisht me kuti vezësh, por e kapim veten në ekzagjerim. Nuk dihet se ç’drejtim do të marrë, por kureshtia dhe dashuria ndaj zërave, ligjërimeve minore, të imta e të vogla, na shtyn të çelim një perspektive të re dhe formë të re të angazhimit tonë.

Shumëçka nga ajo që shohim, përcaktohet nga ajo që dëgjojmë. Për të mbajt vesh se ç’po ndodh rreth nesh e në qytet, dhe për t’u përfshirë në një proces të përbashkët krijues zanor, është mbajtur Punishtja e Radios në datat 15-16-17 prill 2022. Gjatë saj kanë marrë pjesë folës që kanë bashkëndarë hulumtime mbi radion, arkivat dhe regjimet, përvoja mbi radion si ndërmjetësuese mes jetës në liri dhe në burg, radioja në bashkëkohësi dhe frontet e reja çliruese zanore, si dhe punë në terren dhe vizitë studimore pranë Radio Kukësit.

Adi Krasta dhe Elidor Mëhilli treguan për radion në retrospektivë, që nga koha kur frekuencat e radios ishin të vetmet që përcillnin zë nëpër Shqipëri, tek përballja e saj me televizionin, ndërkombëtarizimi i Radio Tiranës, lulëzimi i radios si zhanër përreth ndryshimit të mijëvjeçarit e deri te gjendja e sotme e radios.

Adi na rrëfeu me shumë gjallëri dhe karizmë për pasionin e tij të hershëm e të vazhdueshëm për radion. Sesi në hapësirën e ngushtë me mikrofonin përballë, kishte përjetuar të gjitha momentet më kritike dhe më të bukura të jetës së tij, duke i dhënë tanimë radios një përmasë intime. Gjithashtu, ai bashkëndau këshilla praktike mbi teknikat radiofonike, duke filluar që nga gjuha e trupit, e deri te toni i zërit.

“Radio & Revolucion”, studimi i Elidor Mëhillit na prezantoi me ndikimin ndërkombëtar që Radio Tirana ka pasur kudo nëpër Europë e më gjerë. E dëgjuar deri në Kinë, vendet nordike e Brazil, kjo radio e këtij shteti të vogël merrte me qindra letra nga dëgjues të këtyre vendeve. Ndonëse me qëllim thelbësor propagandën socialiste, Radio Tirana kishte tejçuar emrin e Shqipërisë në veshët e dëgjuesëve, edhe tek ata që nuk kishin dëgjuar kurrë këtë emër dhe e vetmja lidhje me të ishte “Përshëndetje, ju flet Tirana!” Gjatë bisedës me të dëshmuam dhe disa aktivitete opozitare nën regjimin komunist shqiptar, pikërisht përmes shkëmbimit në ajër, nën parullën “Vdekje komunizmit, liri Shqipërisë!”

Paraditen e ditës së dytë të punishtes së radios, e nisëm me Klodi Millonën dhe Endi Tupen, arkitekte dhe artiste që përdorin zërin si mjet për të hetuar potencialin politik të tij, në një kohë kur imazhi dominues po çmonton çdo potencial krijues të së tashmes. Përmes prezantimit të projektit kolektiv “Në mbrojtje të veshit”, dy artistet na njohën me krijimtarinë zanore, punë e përbashkët me artistë dhe aktivistë të tjerë, të publikuara në web-in https://wavefunctioncollapse.net/. Në bisedë u shtruan qasje të ndryshme mbi zërin dhe publiken, duke analizuar larmi mënyrash sesi zëri tejçon një kumt të caktuar apo sesi zëri receptohet nga publiku i saj, së bashku me kushtëzimet specifike për secilën nga narrativat që shpërfaq.

Zërat e parë në “thuajse radio” tonë u hodhën edhe nga pjesëmarrësit e punishtes, të cilët u njohën me praktikën e regjistrimit radiofonik. Shoqëruar nga prezantime të shkurtra teknike të programeve të përpunimit të audios, kjo eksperiencë, shpresojmë të jetë një shkëndijë përplotësuese e pjesëmarrësve që radion dhe krijimtarinë zanore e kanë pasion.

Biseda me shkrimtarin Gazmend Kapllani përmbylli diskutimet tek qendra e Grupit, gjatë së cilës na tregoi për përvojën e tij si gazetar në radio në shtetin grek në fillim të viteve 2000. Për të, si shkrimtar dhe person i angazhuar për të drejtat e njeriut, letrat e vazhdueshme që vinin në redaksi nga dëgjues emigrantë e impenjonin që, çka përcillte në radio të ishte mbështetje për periudhën e vështirë që po kalonin. Ai na rrefen sesi, shpesh radioja ishte shpresa e vetme dhe e fundit për shumë nga problemet me të cilat emigrantët shqiptar ndesheshin. Radioja në rastin e Gazmendit dhe emigrantit shqiptar të burgosur, ishte mediumi që ndërmjetësoi lirinë. Ndër të tjera, autori na njohu me projektin “Storie Nosstrum” një letrarizim i zbulimeve arkeologjike në trojet shqiptare në Ballkan, e cila tashmë ka nisur me krijimtaritë e saj zanore në formën e podcasteve.

Në përmbyllje të ditës së dytë, aktivistë të grupit së bashku me ndjekës të punishtes morën pjesë në tubimin e banorëve të Paskuqanit, Babrrusë dhe Laprakës. Ata prej muajsh protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre, të cilat po rrezikojnë nga një proces i parregullt ligjor shpronësimi që zhvlerëson mundin 20 - vjeçar të banorëve të kësaj zone. Ky moment do të shërbejë si hap fillestar të mbledhjes së zërave protestues me qëllim adresimin e shqetësimit të tyre ndër dëgjues të tjerë.

Aktiviteti i Punishtes së Radios u mbyll me një vizitë në qytetin e Kukësit, ku u mirëpritëm në ambientet e Radios së qytetit. Mbi 6 dekada histori ka kjo radio në qytetin veri-lindor të Shqipërisë, ku ka transmetuar zë edhe përgjatë ngjarjeve më të rëndësishme të kombit, e shtrirë në dy sistemet antagoniste politike që ka përjetuar shteti ynë.

Në pjesën e parë të vizitës zhvilluam një bisedë të këndshme me Saminë dhe Ilvanën, dy nga punonjësit më të hershëm të Radio Kukësit. Samiu në teknikë dhe Ilvana në programacion u kanë dhënë minuta të tëra dëgjuesëve të cilat ata i çmojnë edhe sot. Së bashku me eksperinecën e tyre të begatë, ata ndanë me ne edhe disa këshilla të dobishme mbi rëndësinë dhe seriozitetin e të bërit radio. Më pas vizituam hapësirat e Radios ku u njohëm me arkivën, muzeun dhe studiot e saj. Pamë disa artifakte mjaft domethënëse jo vetëm për radion, por për gjithë historinë e Shqipërisë, duke filluar nga regjistrime ekskluzive, e deri te trankskriptime nga momente kyçe të historisë sonë. Nga arkiva e Radio Kukësit, u ndanë me ne dy prodhime të saj në dy zhvillime kulmore të qytetit por edhe të rajonit.

Me ftesën e gazetarëve Besjana Gjermiza dhe Arben Vata patëm mundësinë të zhvillonim një bisedë që edhe u transmetua drejtëpërsëdrejti në valët e Radio Kukësit. Pjesëmarrësit në Punishte mundën të intervistonin dhe intervistoheshin përballë mikrofonëve të një radio klasike dhe të ndjenin peshën e fjalës që ta dëgjojnë qindra apo mijëra qytetarë, duke ndarë me dëgjuesit eksperiencat dhe përshtypjet e tyre, jo vetëm për radion, por edhe për qytetin. Falënderojmë shumë gjithë ekipin e Radio Kukësit për mikpritjen dhe gjithë çka ndanë me ne, ndarazi Lushin për organizimin dhe krijimin e mundësisë për realizimin e vizitës.