Laboratori i Antropologjisë Urbane “Përvijime të Kamzës”
Nga data 7 deri me 10 shtator, 2023 u mbajt Laboratori i Antropologjisë Urbane në Kamëz, organizuar nga Grupi ATA në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Ky Laborator do të vijojë të ketë boshtin kryesor kërkimor të dy laboratoreve të mëparshme (2021&2022) përkatësisht: me procesin, praktikën dhe eksperiencat e ardhjes në një vendbanim të ri, dijet e përjetimet e ndërtimit të shtëpisë, si dhe praktikat, ritualet e përjetimet e vdekjes dhe varrimit.
Këtë vit, LAU ndoqi një “shteg fotografik” mbi zanafillat e krijimit të një tjetër lagjeje të Bathores dhe vetë krijimit të qytetit të Kamzës. Tri dekada më parë [1993] fotografi zvicerian Hans Peter Jost vjen Shqipëri, dhe përpos shumë të tjerave, shkrep një fotografi në Bathore. Në mars të vitit 2023, Grupi ATA në bashkëpunim me arkitekten Dorina Pllumbi dhe Willie Vogël organizoi shkollën trajnuese “The Planned, the Unplanned and Everything in Between: Tirana and Kamza”. Përgjatë kësaj shkolle, arkitekti Edmond Përgega identifikoi vendndodhjen nga ku është bërë fotoja, duke gjurmuar edhe pozicionimin aktual të shtëpive sot. Shtëpitë e identifikuara në këtë fotografi ishin lokacionet e zhvillimit të kërkimit tonë përgjatë edicionit të katërt të laboratorit. Në këtë fotografi shfaqen “vatrat e para” të nguljes së banorëve të ardhur. Siç na dëshmon historia politike këto “vatra të reja banimi” të quajtura baraka, do të shndërroheshin edhe “shenja” më politike bashkë me Bathoren dhe njeriun që i ndërtoi e banoi ato. Baraka, nga një përshënjues i një hapësire të brishtë private, shndërrohet në një koncept të brishtë dhe brishtëzues politik. Janë pikërisht këto trojebaraka, themeluese të lagjes me numër një të Kamzës. Kështu, këto troje të reja banimi, përvijuan përfytyrimin sesi do të merrte formë Kamza si qytet.
Duke iu përmbajtur toposeve ardhje-shtëpi-varr, këtë radhë pjesëmarrësit u ftuan të mbajnë një theks të veçantë te gruaja dhe fëmija në kushtin e ndërtimit të jetës në një truall krejt të ri, mbushur me shpresë, droje, mund dhe sakrifica të vjetra e të reja, të trashëguara e moshatare. Gjithashtu, ata u inkurajuan që jetës mes ardhjes dhe varrit, t’i shtohet një shikim procesit të ikjes jashtë [emigracionit] dhe tipareve që shpalos kjo dukuri, përgjatë këtyre tri dekadave.
Mikrohistoritë që u mblodhën përgjatë kësaj punishteje do të shndërrohen në rrëfime audiovizuale, e kësisoj do të jenë gjini e rrëfimit që hyn mes perspektivave të banorëve dhe atyre që u janë mbivendosur shoqërisë këto tri dekada.
Metoda
Duke marrë shkas nga fotografia e Hans Peter Jost, këtë vit u përdor si metodë kërkimore dhe krijuese imazhi. Pjesëmarrësit e punishtes u ftuan të punojnë me gjetjet e tyre nga puna e zhvilluar në terren nëpërmjet fotografisë, filmit etnografik apo esesë vizuale urbane. Qyteti dhe historitë mbi origjinat e tij do të kornizohen në imazhe, si mënyrë për të inkurajuar ndërveprimin mes pjesëmarrësve dhe banorëve, si dhe për të kontribuar edhe në krijimin e materialeve arkivore dhe dokumentuese mbi urbanen e Kamzës. Kërkimi etnografik në terren zgjati katër ditë. Paralel më kërkimin në terren u realizuan proceset kërkimore arkivore dhe u përgatitën prezantimet e krijimtarisë së përftuar në ditën e fundit të LAU-t.
Këtë vit LAU pati rezidencën e vet e cila u kthye edhe në bujtëse të pjesëmarrësve dhe shërbeu si vendi ku do të zhvillohen ciklet e leksioneve, prezantimeve dhe mbrëmjeve me artistët lokalë. Për pjesëmarrësit që nuk banonin në Kamëz apo Tiranë u krijuan kushte për akomodim në këtë rezidencë.
Programi:
Më datë 7 shtator, në orën 19.00 në Kamëz u bashkëbisedua me fotografin Hans Peter Jost, autorin e fotografisë së Bathores (1993), prej nga kemi marrë shtysën për të punuar në edicionin e vitit 2023. Hans Peter Jost është fotograf nga Zvicra. Ai bashkëpunon prej shumë vitesh me shumë platforma mediatike dhe agjenci. Numëron nëntë publikime dhe është fitues i çmimit Foto-Libri Gjerman në vitin 2011. Në vitin 2022 ai ka publikuar për publikun shqiptar dhe me gjerë librin e tij “Albania in Between”, brenda të cilit janë 6 libërtha me fotografi nga e gjithë Shqipëria, dhe tre tekste nga Hans Peter Jost, Nathalie Clayer dhe Fatos Lubonja. Për udhëtimin e tij në vitin 1991, fotografitë e jashtëzakonshme të shkrepura kudo nëpër Shqipëri, dhe arkivat vizive të tij u bashkëbisedua në mbrëmjen e parë të këtij laboratori. Hapësirë të veçantë në këtë takim pati projeksioni i filmit të tij “Where are you”/”Ku jeni?”, film dokumentar që ndjek pas 27 vitesh fatin e fëmijëve të fotografisë së tij realizuar në vitet ‘90. Cili është fati i tyre, çfarë bëjnë, si jetojnë ata sot? Trailerin e shkurtër mund ta gjeni në këtë vegëz: https://vimeo.com/568080704.
Në mbrëmjen e dytë të Laboratorit të Antropologjisë Urbane u projektua filmi “Pa Kosovën” e regjisores Dea Gjinovci.
Regjisorja vendosë që të ndërmarrë një udhëtim bashkë me babain e saj për të përshkuar trajektoren e tij të emigrimit. Rrëfimi i babait rrok ngjarjet që prej protestave studentore të Universitetit të Prishtinës (1968) teksa i bashkohej thirrjeve për autonomi të Kosovës, te qëndrimi në kamp në Itali e Kroaci, më pas për t’u vendosur në Zvicër dhe deri në rikthimin e tij në Kosovë pas 30 vitesh. Dea Gjinovci është regjisore dhe producente shqiptaro-zvicerane. Premierat e filmave të saj janë shfaqur në festivale filmash ndërkombëtarë shumë të rëndësishëm si Tribeca Film Festival, Visions du Réel, IDFA, CPH:DOX, Hot Docs, DocNYC, Winterthur KurzFilmTage dhe shumë të tjerë. Stili i saj kinematografik ndërthur narracionin poetik, realizmin magjik dhe cinéma vérité. Është fituese e një sërë çmimesh, përfshirë “Filmi më i mirë kombëtar” Dokufest2017. Ajo është pjesë e Akademisë Zvicerane të Filmit dhe Akademisë Europiane të Filmit. Ka studiuar (BA) për Ekonomi dhe Politikë në SOAS, në Londër dhe studimet master i ka në Etnografi dhe film dokumentar në UCL Londër.
Në vijim të projeksioneve, më datë 9 shtator u mbajt biseda dhe projeksioni i filmave me dy arkitekte dhe studiuese, Dorina Pllumbi dhe Klodiana Millona. Të dyja janë bashkë-autore e dy filmave të shkurtër të prodhurar gjatë organizimit të shkollës “E planifikuara, e paplanifikuara dhe gjithçka ndërmjet” (Writing Urban Places) të cilët u projektuan gjatë asaj mbrëmje. “A do ta quaje veten kombinatse?” dhe “Qyteti që s’duhej të ishte në hartë”, të ripërpunuar për premierën e tyre në Dokufest (8 gusht 2023), u riprojektuan për të shtruar bisedën mbi praktikat e ndërtimit të lagjeve dhe qytetit nga vetë banorët, problematizimin e planifikimeve urbane që vijnë nga ‘lart’, si dhe përdorimin e metodës së filmit si mënyrë për ta lexuar qytetin.
Dorina Pllumbi është arkitekte dhe studiuese doktorale në Universitetin TU Delft, Hollandë. Ajo eksploron temën e kolektives si angazhim material dhe hapësinor në realitete politike në tranzicion, nisur nga transformimet drastike që kanë ndodhur në Shqipëri. Shkrimet e saj janë publikuar në platforma mediatike të ndryshme në Shqipëri, në gazeta kulturore, si dhe në revista shkencore ndërkombëtare.
Klodiana Millona është studiuese, arkitekte dhe lektore. Puna e saj operon në zonën midis arkitekturës dhe refuzimit të kësaj disipline, duke punuar me metoda të kërkimit shkencor, shkrimit, imazhit dhe krijimtarisë zanore. Ajo është bashkëthemeluese e millonaliu, dhe aktualisht pjesë e akademisë Jan Van Eyck (2023-2024) dhe projektit kërkimor “A natural Oasis?”.
Aris Demaj, ose i njohur ndryshe si Sir A dhe Killua u përfshi në ditën e parë të Laboratorit të Antropologjisë Urbane në një bisedë mbi qytetin në tekstet, muzikën dhe imazhet e krijimtarisë së tij. Me origjinë nga Puka, dhe rritur e banues në Bathore, Killua lëvron gjini të muzikës rap, hip-hop, tekno, dhe nuanca të jazz and blues, duke i krijuar vend qendror qytetit dhe njerëzve të skajuar që e banojnë atë. Dy projektet e tij muzikore “Metamorfoza” dhe “Rrno për me tregue” lidhen ngushtësisht me atë çka ai e quan veten si rrëfimtar i thjeshtë. Ai rrëfen herë në vetë të parë, herë me personazhe gjysëm-imagjinar, histori jete rruge me forcë narrative dhe ndërgjegje sociale të rrallë ndër krijues e artistë shqiptarë. Në intervistat e tij, Killua lëviz midis të qënurit vazhdimësi e traditës subversive brenda rap-it dhe thjesht si ‘lajmësi’ i kryengritjeve që mund të ndodhin pavarësisht atij. Referencat e teksteve të tij janë nga Martin Camaj, At Zef Pllumi, Migjeni, që flasin me gjuhën e re të qytetit të Kamzës dhe Tiranës, asimetria socio-ekonomike e të cilave ia ka kushtëzuar dhe kushtetuar qenien dhe krijimtarinë e tij artistike.
Ligjëratat
Antropologjia, fotografia, socializmi
Historia e antropologjisë është e lidhur ngushtë sa me risitë teknologjike po aq edhe me ngritjen e ideologjive moderne. E, mbase nuk kishte si të ishte ndryshe për sa kohë në trinomin-shkencë, teknologji, ideologji-shquhet edhe kuptimi i modernitetit. Por cilat janë raportet specifike të antropologjisë me fotografinë dhe socializmin do të shtjellohen në tre nivele në këtë fjalë. Së pari duke u ndaluar te roli i fotografisë në endjen e dijes antropologjike; së dyti, te natyra e lidhjeve të antropologjisë si shkencë me ideologjitë moderne, dhe së treti, te raporti mes imazhit dhe ideologjisë. Për të reflektuar mbi sa propozohet dhe si rast instruktiv ligjërata analizon materialin vizual të gjeneruar nga etnografja Afërdita Onuzi së bashku me fotografin Gjergj Martini prej ekspeditës së tyre të kryer në mes të viteve ‘80 të shekullit të kaluar në fermën ‘Ylli i Kuq’, Kamëz.
Olsi Lelaj është kërkues shkencor në fushën e antropologjisë së modernitetit pranë Departamentit të Etnologjisë në IAKSA. Nga shtatori 2017 është përgjegjës i Departamentit të Etnologjisë. Hulumtimet e tij, ndër të tjera, përfshijnë çështje që lidhen me: proceset klasëformuese dhe rolin e shtetit në modernitet; dijen etnografike në kontekste diktatoriale; ideologjitë moderne dhe intelektualët; hapësirat urbane postkomuniste. Ai është autor i monografisë Nën shenjën e modernitetit: antropologji e proceseve proletarizuese gjatë socializmit shtetëror në Shqipëri (2015).
Bathorja në shtypin e përditshëm gjatë viteve 1990 - 2008
Çfarë është shkruar në vitet ‘90-2000 për Bathoren? Si ndërtohet “tjetri” i Bathores? Si mund t’i raportohemi gjuhës së ngjashme sot ndaj Kamzës dhe Bathores pa e riprodhuar të njëjtën gjuhë pushteti? Kjo fjalë do të tentojë t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve dhe të analizojë me dhjetëra shkrime dhe fotografi bardh e zi të publikuara në shtypin e shkruar kryesisht në vitin 1998 dhe 2003 mbi lagjen e Bathores dhe revoltat e saj. Janë një seri shkrimesh të cilat, herë me ironi, herë me mllef dhe herë të tjera me mëshirë, portretizojnë ‘tjetrin’ e Bathores. Autorët e këtyre teksteve, reportazheve, lajmeve, editorialeve dhe fejtoneve janë kryesisht publicistë, gazetarë dhe analistë të cilët e kanë stabilizuar narrativën skajuese ndaj Kamzës prej vitesh.
Diana Malaj është aktiviste e grupit Ata.
Koncepte themelore mbi antropologjinë urbane, antropologjinë vizuale dhe kërkimin etnografik
Në këtë fjalë do të parashtrohet një ndërlidhje në mes antropologjisë urbane dhe antropologjisë vizuale me fokus filmi etnografik. Lidhëza kryesore e kësaj fjale është kërkimi etnografik. Te antropologjia urbane do të jepet një paraqitje e shkurtër e trajektoreve të kërkimit antropologjik të qytetit dhe jetës urbane, duke u ndalë te shkollat, teoritë dhe sfidat kryesore. Më pas, do të hedhin një shikim të lindjes dhe zhvillimit të antropologjisë vizuale, duke u foksuar te filmi etnografik. Pasi të jetë bërë një parashtrim i autorëve, projekteve dhe vërejtjeve kryesore mbi filmin etnografik, vëmendje do t’i kushtohet vizualizimit, pranisë dhe rolit të lëndës etnografike në film. Në pjesën e tretë do të flitet për etnografinë në Kamëz. Fokusi do të jetë te narracioni njohës dhe shpërnjohës, politika dhe praktikat e krijimit të zonave diskurseve dominante mbi të ardhurin në Kamëz dhe zonat informale. Në fund fjala do të ndalet te mundësia e shqyrtimit të pluskimit dhe materializimit të rendit politik në arkitekturën steriotipizuese mbi qytetin, materializmin arkitekturor dhe ekononia politike e narrativave mbi pushtimin.
Fjalët kyçe: i ardhuri, pushtimi, shpërnjohja, njohja, etnografia, filmi etnografik, antropologjia urbane.
Prof. Dr. Nebi Bardhoshi është drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit në Tiranë dhe Honorary Research Associate në Universitetin e Regensburgut. Ka botuar monografitë “Gurtë e Kufinit: kanuni, pronësia, strukturimi social” (2011), “Antropologji e Kanunit” (2015), dhe së bashku me Olsi Lelaj është bashkautor i “Etnografisë në Diktaturë: Dija, Shteti dhe 'Holokausti Ynë” (2018). Është autor i disa artikujve akademik, si dhe bashkredaktor i vëllimit Praktikat sociale dhe rikonfigurimi lokal në Ballkan (2013) dhe Kosova Antropologjike bashkë me Arsim Canollin (2021). Interesi kërkimor i Bardhoshit është në antropologji të së drejtës, antropologji të shtetit, antropologji urbane, antropologji sociale dhe histori.
Kush e banon qytetin?
Gjithmonë kam dashur të kem aftësinë e fiksimit të imazheve të përditshme në një arkivë të pafundme e njëkohësisht edhe të aksesueshme, e gjitha kjo përmes syrit. Pak a shumë si në njërën nga seritë e para të Black Mirror. Shumë ndjesi, koreografi a konfigurime dritash e ngjyrash veniten derisa të arrijnë në shkrepjen e lenteve të aparatëve. Por të ecësh nëpër qytet, pa ndonjë qëllim specifik e pa objekt të paracaktuar i përafrohet plotësimit të kësaj dëshire. Herë e menduar, herë jo, ecja fotografike nëpër qytet ka prodhuar histori të shpërfaqura vizualisht e të publikuara në mediumin e kolektivit tonë nën emërtimin "Kush e banon qytetin?" Qyteti përmes shkrepjeve tona na vjen si akt shërbimi e dashurie, si shpresë e si dështim, si jetë e si braktisje, si ndërtim e si shkatërrim. Shkrepjet dëshmojnë se qyteti banohet.
Ronald Qema ka lindur dhe është rritur në Kamëz, Shqipëri. Anëtar i grupimit Ata, reporter dhe fotograf, ka përfunduar studimet bachelor për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. I angazhuar së fundmi në kinematografi dhe antropologji, ai përshkon ndërmjet këtyre disiplinave në veprimtarinë e tij në kolektivin Ata. I angazhuar në të drejtën e arsimimit, çështjeve mjedisore dhe aktivizmit në komunitet, ai përdor gjithashtu artin (teatër, film, fotografi) për t'u dëgjuar, për t'u parë dhe për t'u ndjerë.
Filmi dhe shikimi i tjetrit
Praktika e filmbërjes me karakter (auto)biografik ku kujtesa kthehet në një mënyrë të të parit të vetes dhe tjetrit, kërkon të ndërlidhë elementet estetike me distancën e të vështruarit. Cilat janë disa nga metodat dhe strategjitë për të shtjelluar çështjen e drejtimit të vështrimit filmik nga vetja tek subjekti dhe anasjelltas? Një prezantim me (bashkë)bisedë mbi vështrimin vetjak dhe kolektiv të kujtesës.
Endi Tupja ka studiuar për Gjuhësi dhe Studime Kulturore në Universitetin e Milanos, si dhe Studime të Medias Eksperimentale në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Potsdam. Në projektet e saj kërkimore vend qëndror zë eksperimentimi me strategji të formave të ndryshme të ruajtjes dhe rikuperimit të memories dhe potencialit të rigjenerimit të saj. Qasja e saj eksploron limitet e (vetë) përfaqësimit si dhe lidhjen tangente me video artin. Ajo përdor procesin e shkrimit gjerësisht, derisa ai të shterojë në një imazh.Punët e saj artistike janë ekspozuar në Berlin, Kosovë, Meksikë, Austri, Ukrainë, Hollandë, UK, Itali dhe në Republikën e San Marinos. Ajo jeton dhe punon mes Berlinit dhe Tiranës.
Punëtori “Qëndisje imazhesh” me Klodiana Millonën
Instruksione mbi rrëfimin vizual si dhe teknika të shpejta të film-bërjes, ndërtimin e historisë dhe të rrëfyerit 'pranë' dhe jo 'për' tjetrin, do të jenë disa prej pikave që do të trajtojë Klodiana Millona përgjatë punëtorisë së filmit. Pjesëmarrësit, përpos përvojës së përftuar me punë në terren, si dhe njohurive gjatë bisedave, fjalëve dhe prezantimeve, do të munden të përvetësojnë dhe eksperimentojnë në një kohë të ngjeshur disa teknika pune në film.
Klodiana Millona është studiuese, arkitekte dhe lektore. Puna e saj operon në zonën midis arkitekturës dhe refuzimit të kësaj disipline, duke punuar me metoda të kërkimit shkencor, shkrimit, imazhit dhe krijimtarisë zanore. Ajo është bashkëthemeluese e millonaliu, dhe aktualisht pjesë e akademisë Jan Van Eyck (2023-2024) dhe projektit kërkimor “A natural Oasis?”.
Reflektim i shkurtër post-laborator
Pas përfundimit të edicionit të katërt të Laboratorit të Antropologjisë Urbane, ndjesia që vazhdon të na shoqërojë na duket sikur vërtitet rreth një fraze të lexuar diku: gjithçka ne kemi është historia jonë, dhe as ajo nuk na takon plotësisht.” Laboratori është ndërtuar mbi domosdoshmërinë e bashkëndarjes së rrëfimit të historisë sonë si njerëz, si banorë, si ndërtues dhe si krijues të një qyteti. Por është edhe hapësira ku si subjekte presim të ritregohemi, të rrëfehemi, e të kallëzohemi nga Tjetri. Historia jonë, a e banorëve të Kamzës, nuk mbetet më vetëm e jona, apo e tyrja. Ajo falet, besohet, dhurohet, ritregohet, përthyhet, ndahet, perifrazohet, por edhe keqkuptohet. Historitë e shtëpive të Kamzës dhe jetët e jetuara të këtyre njerëzve janë ngjarje unike që meritojnë të rrëfehen si histori. Nuk janë vetëm sekuenca jete a ekzistenca thjesht empirike. Nëpërmjet historive të treguara dhe atyre të rindërtuara, njerëzit e Kamzës (bashkë me ne) mund të prekin identitetin e tyre në mënyrë tangente, si dhe të ekspozohen ndaj një hapësire më plurale e më politike.
Të ndarë në pesë grupe, pjesëmarrësit e laboratorit u fokusuan në eksplorimin e lagjes numër 1 të Bathores. Në kërkim të historive të ardhjes, ndërtimit të shtëpisë e ndërtimit të qytetit bashkë me institucionet e veta, përshkohet meraqeve në të cilat jetohet sot nga çështja e legalizimit tek emigrimi i të rinjve, te dështimet e shtetit, e deri te pakënaqësia ndaj shërbimeve publike. Për pjesëmarrësit/et e rëndësishme ishte të hetonin edhe rolin e grave, jo vetëm gjatë ndërtimit të shtëpive, por siç na njoftoi vetë terreni, edhe mbi rolin e tyre në krijimin e shkollave të para të qytetit. Të tjera histori tregohen nga burrat, të tjera histori tregojnë gratë. Për varrezat si ia bënin? Dikush linte amanet të prehej atje nga kishte ardhur, dikush thotë “s’e mendonim, na dukej vetja të pavdekshëm.” Sot shtëpitë janë pranëvendosur njëra-tjetrës. Shumë prej tyre kanë ende kate të pangritura, por akoma më shumë kate të pabanuara.
Gjatë kësaj punishteje shumë intensive katër-ditore u përftuan draftet e para të filmave të cilat, sipas mundësive të pjesëmarrësve, do të mund të vazhdohen me tutje, dhe që trajtonin: historia e Kamzës përpara viteve ‘90, rrëfyer nga banorë që kanë migruar aty në vitet ‘70-’80 [O.Lamaj, A.Lamaj, E.Lika, me mentorim të O.Lelaj]; historia e ujit, mundi i marrjes së tij nga gra e fëmijë, sistemi i ujit në shtëpi dhe lagje [A.Turhani, A.Pipero, E.Tupja, M.Nasi, M.Syla, me mentorim të N. Bardhoshi]; këmbëngulja e një grupi mësuesesh për të krijuar klasa paralele në ndërtesa banimi të shpërndara në lagjet e Bathores dhe histori fëmijësh të arsimuar në kushte të jashtëzakonshme [R.Qema, L.Ismailaj, N. Paja, Th.Krempke, me mentorim të L.Shamku]; narrativat e ardhjes dhe shtëpisë në pluralitet zërash: sipas burrit dhe sipas gruas [E.Paja, P.Gjini, A.Bekteshi, M.Syla, H.P.Jost me mentorim të D.Pllumbi] si dhe histori (-zh) vendosjesh, migrimi të shumëfishtë dhe kreativiteti njerëzor në kushte mbijetese [K.Millona, F.Paja, L.Cenaj, E.Çelaku, I.Gjini, O.Girard me mentorim të E. Kaçiu]
Ndërtimi i Kamzës në vitet ‘90 dhe 2000 u shoqërua nga histori të treguara për të më së shumti nga publicistika përreth Partisë Socialiste, duke skajuar, diskriminuar dhe përbuzur tjetrin e ardhur. Vetë banorët të shqetësuar me ndërtimin e jetëve të tyre, nuk e kishin parësore tregimin mbi to. Tashmë, pas tridhjetë vjetësh, historitë e tyre personale tregojnë jo vetëm për përvojën e tyre të pafundme, por edhe historinë e ndërtimit të një qyteti. Kështu, po rivendikojmë rrëfimin dhe dëshmitë mbi jetët tona të jetuara.
Veç kush e ka përzemër tjetrin e Kamzës do të mundej të ndiqte për katër ditë rresht programin e ngjeshur (ndoshta tepër) të këtij laboratori, ndaj shprehim mirënjohje të plotë për të gjithë pjesëmarrësit, mentorët, folësit dhe autorët e këtij edicioni. Falenderues për praninë e artistit nga Kamza Killua si dhe rapsodëve tanë Zef Mulaj dhe Vuksan Mrishaj. Mirënjohje për Klodiana Millona për mentorimin e saj në filmbërje; kontributit të çmuar të dy fotografëve zviceranë Hans Peter Jost dhe Thomas Krempke; dhe bashkëpunëtorëve tanë pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Mirënjohës ndaj familjeve pritëse, si dhe ndaj miqve tanë dhe banorëve të Kamzës që kanë ndjekur takimet publike si dhe Fondacionit Heinrich Böll Stiftung Tirana për mbështetjen në mundësimin e tij.
Ky laborator mëton të tregojë kontributin që antropologjia mund të japë për njohjen e vetes dhe tjetrit teksa po i zgjeron territoret dhe mjetet e saj jashtë institucioneve, ndërkohë që po centralizohet në mënyrë autoritare nga Rama-Gjinushi, duke e mbyllur ndaj tjetrit dhe duke ia tkurrur praktikën e saj.