← Kthehu te Punishte
Punishte / Laborator

Punishte e Laboratorit të Antropologjisë Urbane 2021

031–4 tetor 2021Kamëz

Në datat 1-4 tetor 2021, u organizua Laboratori i Antropologjisë Urbane, rrjedhojë e bashkëpunimit midis Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit dhe Grupit të Aktivistëve, ATA-Kamëz. Qëllimi i këtij laboratori ishte të krijonte kushtet për një mjedis sa më krijues, me fokus kryesor studimet, reflektimet dhe propozimet mbi hapësirën urbane. Tema të këtij laboratori ishin "Ardhja, Shtëpia, Varri". Kërkimi në terren u realizua në zonën më të përfolur në vitet e tranzicionit në Kamëz dhe rrethinat e saj. Të tria temat u trajtuan si topose, veç e veç, por po aq edhe të ndërlidhura. Pjesëmarrës në këtë laborator ishin 20 studiues, studentë doktorature, artistë, arkitektë, studentë, aktivistë.

Me 12.10.2021, një javë pas kryerjes së punës në terren, pjesëmarrësit prezantuan punët e tyre paraprake në një workshop pranë IAKSA-së.

Temat që u trajtuan janë si vijon:

Çështje dhe ngritje hipotezash mbi zhvendosjen arketipore të tipareve të banesës, bashkë me lëvizjen e popullsisë, herë-herë të ndërgjegjshme, por, më së shumti, ashtu si veprojnë arketipet [Dritan Kapo]; ndryshimi i truallit të njerëzores ritruallizimi i së shenjtës, referencave morale dhe përkatësitë identitare [Antonela Pepkolaj]; një ndajvendosje mes një poezie dhe etnografisë diskutohet flora dhe fauna private e publike- parashtrim i një teze për kulturën e estetikës përtej kulturës së mbijetesës apo skamjes [Pavjo Gjini]; një kritikë dhe një ftesë për reflektim për hisen e munguar të gruas në shtëpi, duke hedhur vështrimin në mes asaj që vjen si traditë kanunore dhe interpretimeve ligjore [Aurora Leka]; një vepër arti, në rrugë e sipër, mbi varrin, si shtëpi e "betonit të lehtë", metaforë që lëshohet si një ftesë për reflektim mbi betonizimin e vendit të fundit të banimit, pas vdekjes [Lori Lako]; ndryshimet në soundscape e në të gjithë landscap-in në mes asaj bote negociatëplotë të pazarit, të improvizuar prej të ardhurve në Kamëz, krahasuar me kontrollin, puritizimin dhe aspekte të tjera të një qendre tregtare në Tiranë [Arnold Kapinova]; një sinops filmi etnografik, i vendosur teknikisht në mes realizmit etnografik, e që trajtohet edhe si dokumentar metaforik, mbi një shtëpi që dikur ishte stallë lopësh dhe, më pas, u shndërrua në shtëpi me shumë shije, por ende e palegalizuar, [Ronald Qema]; shqyrtim dhe kritikë teorike mbi konceptin e informales, për të parë dimensionet estetike në terma vendorë, analizë dhe ftesë për të shqyrtuar më tej koncepte, si: shtëpi imagjinare apo shtëpi pezull etj [Dorina Pllumbi]; një diskutim mbi një intervistë të përzgjedhur, ku na vjen një zë, i një 80-vjeçari, kritik ndaj kanunit e kanunores, sidomos kur vjen puna te mënyra se si është trajtuar vajza, gruaja, po ashtu dhe mbi gjakmarrjen [Entenela Ndrevataj].

Materialet e prezantuara do të vijojnë të zhvillohen më tej nga autorët, me qëllim botimin e tyre nëpër mediume, organe të ndryshme shkencore dhe artistike, përfshirë edhe revistën Antropologji, organ i IAKSA-së. Materialet vizuale, audio etj, do të arkivohen pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, si dhe pranë Qendrës ATA, në Kamëz.