Punishte e Filozofisë, Teatrit, Qytetit
Punishtja e Filozofisë është zhvilluar me tetë seminare mbi disa nga momentet më të komentuara në historinë perëndimore të politikës, teatrit dhe filozofisë. Nga humoret homerike e deri spekta(k)tori i Augusto Boalit, nga demokracia athinase deri te neoliberalizmi dhe nga idetë e Platonit deri te estetika e Zhak Rancierit kemi ndarë bashkarisht disa nga temat e debatet më të përzemërta mbi qytetin, estetikën dhe mendimin kritik.
Shoqëruar me debate, polemika, shqetësime dhe të qeshura, kjo seri seminaresh ka tentuar të adresojë nevojën dhe dëshirën e grupit Ata dhe të pjesmarrësve tjerë që, përpos praktikimit të teatrit ndër vite në Kamëz nga grupi, t’i bëjë vend edhe një komentimi kolektiv mbi rëndësinë që ka teatri në vetvete dhe rëndësinë që ka patur historikisht për politikën, qytetin dhe mendimin kritik.
Për ne si grup, teatri na ka shoqëruar dhe vazhdon të na shoqërojë prej fillimit të veprimtarisë tonë në Kamëz. Na ka stërvitur për të krijuar kolektivisht dhe njëkohësisht. Falë tij kemi zgjeruar imagjinatën urbane, kemi improvizuar e ndërtuar hapësira publike mbi prona private dhe kemi ngritur skena artistike në shtëpi të braktisura e fusha e rrugë urbane. Përmes teatrit kemi mbledhur një komunitet spektatorësh me të cilët kemi ndarë e kemi zbuluar njëkohësisht tek ta dhe te vetja ndijime të reja, duke qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të përvojës estetike të njëri-tjetrit. Mes shikimeve të ndrojtura të nënave nga ballkonet, qytetarëve që ndiqnin përplot seriozitet shfaqjet dhe lëvizjeve çapkëne të fëmijëve, falë teatrit kemi arritur përkohësisht t’ua pezullojmë qytetarëve kohën e vjedhur nga të tjerët, duke ia zgjeruar hapësirat fizike të banimit dhe përjetimit kolektiv të qytetit dhe të imagjinimit të shumëçkaje përtej tij.
Më shumë se çdo formë tjetër estetike apo politike, teatri na ka mësuar të organizohemi, ndjejmë, mendojmë dhe krijojmë së bashku, e gjitha e përgatitur për t’iu dhuruar e adresuar të ngjashëmve tanë, qytetarëve të Kamzës. Falë teatrit, angazhimin kulturor, artistik e politik e shohim, mendojmë dhe përjetojmë si angazhim për çlirimin dhe mobilizimin e kapaciteteve të pamata njerëzore, për tejkalimin e fatalizmit të klasës punëtore, për rrëzimin e hierarkive të ndijimeve njerëzore dhe për zgjerimin e imagjinatës kolektive mbi qytetin.