Gazetari
Gazetaria është një praktikë që i përkon natyrshëm aktivizmit. Kamzës i ka munguar një gazetë lokale, ndaj Nyje.al e krijuam si një media të pavarur të qytetit. Kjo përvojë na ka mësuar si ndiqet një ngjarje me rigorozitet, çfarë meriton të ndahet publikisht me qytetarët dhe çfarë lloj gazetarie i nevojitet një qyteti ku raportimi lokal ka munguar prej kohësh. Në këtë boshllëk mediatik, Nyje.al synon jo vetëm të raportojë ngjarjet e Kamzës, por edhe të ndërtojë një tablo më të pasur të qytetit, duke ndjekur historitë, njerëzit dhe çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e banorëve të tij.
Gazeta mund të bëhet një galeri e gjerë, por njëkohësisht e imët, e qytetit: me profile banorësh, përshkrime lagjesh, histori lokale, fotografi, video dhe raportime që nxjerrin në dritë vende e përvoja të mbetura jashtë vëmendjes së mediave. Në një peizazh ku mediat kombëtare raportojnë kryesisht nga Tirana, kjo punë përpiqet t’i japë Kamzës hapësirën dhe vëmendjen që i takon. Për ne, procesi gazetaresk është edhe një mënyrë për të ushtruar gjuhën, shkrimin, reflektimin dhe analizën mbi qytetin. Për aktivistët e grupit, Nyje.al ka qenë një vend ku kemi sprovuar zërin tonë publik, kemi artikuluar shqetësime të përbashkëta dhe kemi ndërtuar një gjuhë komunikimi më të afërt me banorët.