Vdekja aksidentale e një anarkisti

Libri i Javës – Vdekja aksidentale e një anarkisti nga Dario Fo Siç thoshte Bertolt Brecht: “Në kohë të errëta, u këndojmë kohëve të errëta. Mandej do të zbardhë edhe për ne koha e trëndafilave” . Kështu nis Vdekja aksidentale e një anarkisti nga dramaturgu nobelist Dario Fo, një nga veprat më të famshme të tij, vënë në skenë mbi 200 herë me kapacitet të plotë. Ky libër është shqipëruar nga Krymi dhe përgatitur për shtyp nga Anna Shkreli, pjesë e publikimeve të shtëpisë botuese “Berk”. Kjo vepër sugjerohet shumë edhe nga ne, për shkak të lidhjes së veçantë që kemi me këtë autor dhe me këtë vepër në veçanti. Në vitin 2018 si pjesë e praktikave tona teatrale, e vendosim si shfaqje në oborrin e Teatrit Kombëtar në shenjë solidarizimi dhe bashkimi në protestat për teatrin. Pas premierës në Tiranë, kjo shfaqje vihet në Kamëz në një godinë e lënë përgjysëm, ndërtuar nga dy emigrantë të cilët ende sot e kësaj dite nuk janë kthyer në Shqipëri për ta përfunduar karabinanë e tyre. Vepra e Fo-së merr shkas nga një ngjarje e vërtetë e vitit 1972 në Itali. Historia e “vdekjes aksidentale” të anarkistit italian Giusseppe Pinnelli, i cili dhunohet nga policët e një komisariati të Milanos dhe që vdes pas dy ditësh në qeli, ritregohet me ironi nga Fo i cili na e sugjeron me mjeshtëri një të vërtetë tjetër mbi këtë histori. Dialogjet janë ndërtuar mbi dokumente origjinale të lidhura me çështjen në fjalë, pasi për Fo-në ky rast nuk ka pasë aspak nevojë të shpikeshin apo imagjinoheshin situata. Për Dario Fo, për teatrin dhe për të gjitha vdekjet, dhunimet, apo represionet aksidentale shtetërore: hajdeni dhe merreni këtë libër.