← Kthehu te Publikime
Publikime / Biblioteka

Odiseja — Homeri

Odiseja — Homeri

Libri i javës – Odiseja nga Homeri Për maturantët që po u afrohen provimet e për nxënësit e tjerë që duan të lexojnë pa paguar; për të rinj e të reja që duan te jenë të rrethuar nga një bibliotekë e pasur me tituj; për të rriturit që duan të hyjnë në një hapësirë ku libri as shitet dhe as blihet, por huazohet përkundrejt besimit të rikthimit; për ata që duan një hapësirë për veten, për lexim e vetmi, por edhe po aq të sigurtë, ftuese dhe shumë miqësore hajdeni te biblioteka e grupit. Kësaj radhe sjellim si sugjerim për huazim librin Odiseja e Homerit, përkthyer nga Pashko Gjeçi dhe publikuar nga shtëpia botuese Onufri.

Ajo çka i bënte bashkë poliset greke ishin poetët, Homeri dhe Hesiodi kryesorët dhe ku këngët e narrativat e të cilëve ishin të njohura në të gjitha poliset. Për grekët antikë, Homeri jepte një panoramë të plotë të botës, të cilën e kishte të menduar në tërësinë e saj me të gjitha telashet, forcat dhe kuptimet e mundshme e të nevojshme. Poemat e tij ishin pikë reference për zgjidhjen e mëdyshjeve e përplasjeve të tyre. Sipas filozofit Hubert Dreyfus veprat e mëdha të artit si poemat e Homerit as nuk e krijojnë dhe as nuk e kopjojnë botën, por e fokusojnë dhe hedhin dritë mbi kuptimet e asaj bote. Grekërit ishin të vetëdijshëm për këtë aspekt dhe jo më kot figura e Homerit nderohej si idhull dhe fjala e tij kishte vërtetësi absolute. Ndërsa sipas kritikut letrar Erich Auerbach Homeri na prezanton me një botë e cila është e gjitha e ndriçuar, pa dritë-hije, ku gjithçka shihet e pasqyrohet, ku asgjë nuk mbahet e fshehtë e lexuesi nuk është peng i suspancave, ku gjërat shfaqen sipas natyrës së tyre menjëherë e pahezitim.

Odisea na flet për virtytet e zgjuarsisë, besnikërisë dhe kujtesës në aventurën për t’u kthyer aty nga ka nisur, por të gjitha këto të shoqëruara nga një fuqi e pamatë e heroit për t’i bërë ballë të gjitha sfidave. Odisesë i duhet të prekë fundin e përvojës njerëzore, të refuzojë pavdekësinë, të stërmundohet e reduktohet deri në pikën e fundit nga lojrat e fatit e të zotave e t’ia dalë nga fuqia e vetvetes të kthehet në Itakë për ta rifituar atë, për t’i rikthyer lavdinë në mesin e paqartësisë që e ka kapluar për shkak të paqartësisë që ka krijuar mungesa e tij.