Letërkëmbimi Camaj–Pipa

Letërkëmbimi Camaj-Pipa: 1959-1992 Në librin “Letërkëmbimi Camaj-Pipa: 1959-1992” përgatitur nga botuesja Irena Buzi e me parathënie të Dhurata Shehrit, gjejmë të ndërthurur një shumësi realitetesh domethënëse për kulturën dhe historinë shqiptare. Kjo dëshmi ndryshe e shqiptarëve në ekzil, ka në fokus fatin e diasporës dhe atyre intelektualëve që braktisën Shqipërinë për të mos iu nënshtruar censurës dhe terrorit komunist. Pipa dhe Camaj, të dy shkrimtarë, gjuhëtarë, kritikë dhe studiues, në harkun kohor të 33 viteve, ruajnë korrespondencë të rregullt me shkëputje të pjesshme. Këto shkëputje lidhen me qëndrime politike e hatërmbetje të ndryshme; mungesa e kohës, etj. Megjithatë, duke pasë interesa të përbashkëta për kulturën shqiptare, të dy tregojnë vetëdije mbi rolin që luajnë në këtë aspekt, duke theksuar rëndësinë e punës për gjuhësinë dhe letërsinë shqipe. Dallojmë këtu botimin e veprës “Dranja” që Pipa e cilëson si madrigalin e parë shqiptar si dhe, veprën “Rusha” të Pipës, i cili kishte si qëllim të lëvronte në letërsinë shqipe forma të palëvruara më parë. Por edhe në gjuhësi, të dy tregojnë kundërshtitë e tyre, sidomos mbi procesin e standardizimit të shqipes, që nuk është bërë mbi premisa shkencore por politike. Këtë letërkëmbim, të cilin ua sugjerojmë shumë për ta lexuar, mund ta huazoni nga biblioteka jonë duke na shkruar paraprakisht.