Pika pa Sipërfaqe — tituj nga raftet tona
Librat e shtëpisë botuese “Pika pa Sipërfaqe” zënë vend të rëndësishëm në bibliotekën e grupit tonë. Të paktë janë ata tituj që nuk i kemi. Një dorë e mirë librash të rinj i janë shtuar bibliotekës sonë në verën e 2022. Disa prej këtyre titujve përfshijnë: “Dhuna; Gjashtë përsiatje të tërthorta” të Slavoj Žižek dhe përkthyer nga Arbër Zaimi, i cili ofron një përshkrim kritik të dhunës në demokracitë liberale, kapitaliste duke bërë dallimin midis tre llojeve: subjektive (terrorizëm, krim); simbolike (dhuna e ngulitur në gjuhë); dhe sistematike (dhuna e përjetësuar nga marrëveshjet kapitaliste politike dhe ekonomike).
“Lodra e tërbuar” Roberto Alt, është një roman i shkurtër i ndarë në katër pjesë me tematikë moshën madhore, secili nga katër kapitujt i fokusuar kryesisht në një fazë të ndryshme të rinisë dhe moshës madhore të re të Silvio Drodman Astier-it. Silvio rrëfen historinë dhe fillon me vitet e hershme të adoleshencës. Silvio rritet në një mjedis librash dhe ai, miqtë dhe familja e tij prezantohen si lexues të pasionuar kudo. Silvio është kritik për disa nga veprat që lexon, por ai padyshim që argëtohet vazhdimisht me to dhe janë pjesë e botës së tij - botë e imagjinatës së pasur, dhe më pas për një pjesë të realitetit të tij, ndërsa përpiqet ta imitojë dhe të krijojë aventurat e veta me disa shokë.
Ashtu si "Lodra e Tërbuar", gjithashtu përkthyer nga Erion Karabolli, nga Roberto Alt, gjejmë rastin të njoftojmë dhe sugjerojmë për lexim edhe librin ““Gravura nga Buenos Airesi”. Libri, i botuar në vitin 1933, është një përmbledhje e disa artikujve letrarë që autori botonte në gazeta të ndryshme të kohës, midis viteve 28-33. Nëpërmjet tyre, Arlt-i na përshkruan një qytet që ndodhet në një gjendje të vrullshme dhe të vazhdueshme transformimi, si dhe kontrastet që e shoqërojnë këtë proces. Ky përshkrim është i ndërthutur me kritikë sociale, sarkazëm dhe humor, me tema të tilla si varfëria e pabarazia, të cilat janë të gjithëpranishme në tregime. Pjesë e ‘gravurave’ janë lagjet, shtëpitë e pambaruara, ‘karriget në trotuar’, parqet e rrugët e pashtruara, por edhe personazhet që sillen në qytet; bjerraditësi, ndreqësi i kukullave, shitësi ambulant, tregtari matrapaz etj.
“Zhvillime urbane: Tradita dhe risi – Rasti i Kamzës” Alfred Halilaj. Në këtë libër trajtohet farefisnia në zonat paraurbane. Lëvizjet e mëdha demografike në Shqipëri pas vitit 1990 u shoqëruan me ndryshimin e vendbanimit të 3/4-tave të popullsisë duke zgjeruar periferitë e qyteteve të mëdha, por më së shumti Tiranës dhe Durrësit. Një prej zonave më tipike ku u vendosën banorët e rinj është Kamza. Ndryshimi i vendbanimit nuk do të thotë ndryshim i menjëhershëm kulturor dhe shkëputje e prerë me të shkuarën. Ky studim synon të krahasojë dhe analizojë përvijimin ose jo të lidhjeve farefisnore të banorëve të ardhur. Kamza gjatë këtyre 26 viteve u popullua kryesisht me banorë të zonave veriore dhe verilindore, por duhet thënë se ky vendbanim mban bashkë banorë që vijnë nga rreth 34 qytete të Shqipërisë. Autori duke marrë pjesë në jetën e përditshme në komunitet përmes punës etnografike në terren, si dhe studimit të asaj çfarë ndodh në të tashmen në jetën e banorëve të rinj, synon të shqyrtojë objektivisht gjithë dinamikat sociale.
Këto publikime, bashkë me shumë tituj të tjerë që i janë shtuar bibliotekës sone këtë verë, do të mund të merren për lexim apo të lexohen pranë qendrës së grupit Ata.