Kolana “Etnografi në diktaturë”
Bibliotekës së grupit tonë i është shtuar rishtazi kolana “Etnografi në diktaturë” e botuar nga Instituti i Antropologjisë dhe Studimit të Artit. Janë publikuar brenda kësaj kolane 5 veprat e etnografit Rrok Zojzi. "Kalendari primitiv", "Ndamja krahinore", “Atlasi etnografik", "Çamëria" dhe “Lugina e Vjosës", që përmbajnë një sërë raportesh etnografike, shkrimesh, vëzhgimesh e udhëtimesh nga themeluesi i etnologjisë shqiptare. Brenda këtij projekti studimor, puna kërkimore e studiueses Andromaqi Gjergji zë vend të rëndësishëm. Siç parashtrohet në publikim, ajo ka kontribuar në rritjen e profilit të etnografisë dhe lexuesi ka mundësi të njihet me bibliografinë e etnografisë shqiptare. “Lojëra Popullore”, është botuar për herë të parë në vitin 1975 në revistën “Entografia shqiptare” nga bashkëpunëtori i Sektorit të Etnografisë, Luigj Shala. Lojërat e përzgjedhura nga autori për këtë botim janë gjithsej 227 dhe kanë një shtrirje gjeografike që mbulon gjithë territorin e Shqipërisë. Rëndësia e këtij ribotimi, si pjesë e kolanës Etnografi në diktaturë, është e dyfishtë: Përveçse i shton edhe një përmasë tjetër njohjes së punës etnografike gjatë diktaturës, rikthen gjithashtu vëmendjen drejt rëndësisë së studimit të lojërave popullore në të tashmen. Artikulli studimor me titull “Banesa tradicionale e Tiranës” (Fshati Linzë), me autor Koço Zheku është dokumentim etnografik i banesës së kësaj zone specifike dhe pjesë e kolanës gjithashtu. “Sharra e Ujit”, me autor Hasan Qatipi, është botuar për herë të parë në vitin 1962 dhe ribotohet i plotë, me qëllim prezantimin e autorit dhe studimit të tij. Një pjesë e këtyre botimeve gjendeshin vetëm në arkiva dhe nuk janë publikuar më parë. Kësisoj, një pjesë e mirë e materialit, edhe pse në formën e raporteve apo shënimeve, ka shumë vlerë pasi aty është ruajtur perspektiva e autorit, pa ndërhyrje nga studiuesit që janë kujdesur për publikimin.
Këto publikime, bashkë me shumë tituj të tjerë që i janë shtuar bibliotekës sonë do të mund të merren për lexim apo të lexohen pranë qendrës së grupit Ata, çdo ditë të javës.