← Kthehu te Biblioteka
01
Biblioteka / Fotografi / Bathore

Albania in Between — Hans Peter Jost

KARTELË 01GRUPI ATA / KAMËZ

Hans Peter Jost fotografon Bathoren në vitin 1993, duke na dhuruar kështu një prej fotografive më të rëndësishme që dëshmon fillesën e qytetit të Kamzës. Fotografi zviceran udhëton nëpër Shqipëri fill pas rënies së regjimit (1991) dhe teksa shkel për herë të parë i zhbëhen përfytyrimet e krijuara nëpërmjet dëgjimit të Radio Tiranës (edicionit në gjuhën gjermane) mbi atë çka mund të kishte ëndërruar në adoleshencë për Shqipërinë si shteti perfekt socialist. Publikimin e tij “Albania in Between”, brenda të cilit janë 6 libërtha me fotografi nga e gjithë Shqipëria, dhe tre tekste nga Hans Peter Jost, Nathalie Clayer dhe Fatos Lubonja e gjeni për ta konsultuar në bibliotekën e grupit tonë, libër dhuratë për Ata nga fotografi Thomas Krempke. Nëpërmjet këtij postimi rikujtojmë të gjithë të interesuarit, sidomos mësuesit, nxënësit dhe studentët që jetojnë në Kamëz (por edhe jashtë saj), për mundësitë e përdorimit të bibliotekës sonë të vogël por me tituj të përzgjedhur me kujdes. Kushdo i interesuar për të huazuar libra apo për të shfrytëzuar qendrën tonë për lexime, lirshëm të na kontaktojë paraprakisht në rrjetet tona sociale.